“Një pasdite në muze” me temë “Rëndësia e Kongresit të Manastirit (14 – 22 nëntor 1908)”

 

Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm Dr. Rovena Vata, kritike dhe studiuese e letërsisë/Pedagoge dhe znj. Brunilda Tusha, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri, Tiranë.

Në fjalën e saj, Dr. Rovena Vata, midis të tjerash tha se Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij ishin rrjedhojë e rritjes së vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, për shkrimin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe, për një albafet të vetëm të saj. Kjo ngjarje ishte një faqe e ndritur për historinë e kulturës sonë kombëtare, që i tregonte opinionit vendas dhe atij të huaj se shqiptarët ishin në gjendje t’i zgjidhnin vetë çështjet e kulturës. Rëndësia e këtij kongresi mbi të gjitha ishte se shërbeu si nxitje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në shumë krahina të vendit tonë dhe luajti një rol me rëndësi për t’i prerë rrugën çdo ndikimi të huaj në këtë fushë. Këtij kongresi i shtohet rëndësia e tij edhe për faktin se hapi rrugën e një alfabeti të vetëm, i cili përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme. U zgjodh ky alfabet që kemi, pasi ishte më i lehtë në përdorim, më i thjeshtë në të shkruar dhe më praktik në botime.

 

 

 

Lini një koment