Veçoria e Muzeut .


“Muzeu Historik Kombëtar” synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij.

 

Rendesia e nje vizite ne muze.

Perse duhet ta vizitojme Muzeun Kombetar te Tiranes ?

Sipas Leaf Van Boven, Asistent Profesor i Psikologjisë në Universitetin e Kolorados, përvojat duket të krijojnë më shumë lumturi sesa objektet material, sepse ato sigurojnë ri-interpretime pozitive personale me kalimin e kohës. Domethënë, ndërsa rikujtojmë vizitën tonë në muze, ne kemi një tendencë për të pastruar psikologjikisht çdo kujtim negativ.
Përvojat, të tilla si vizitimi i një muzeu, gjithashtu mund të bëhen pjesë kuptimplote e identitetit shoqëror dhe të kontribuojnë në marrëdhëniet e suksesshme shoqërore në një mënyrë që sendet materiale nuk munden. Pra, vizita në muze do t’ju bëjë më të lumtur në afat të gjatë.

Ja cilat jane arsyet se perse duhet vizituar nje muze :

1. Muzetë të bëjnë më të zgjuar
Roli kryesor i muzeve është padyshim edukimi i komunitetit. Muzetë mund të bëhen frymëzues për studime në disa dhjetëra fusha akademike dhe mund të ndihmojnë gjatë studimeve. Galeritë e artit gjithashtu po marrin dita-ditës formën e “sallave të studimit”. Është e pamundur të vizitosh një muze e të mos dalësh me një informacion të shtuar në fund të vizitës.

2. Muzetë sot na paraqiten si hapësira informale edukimi, të cilat ndihmojnë procesin e marrjes së dijes dhe edukimin e brezave, një proces i gjatë ku individët fitojnë qëndrime, vlera, shkathtësi dhe njohuri nga përvoja e përditshme. Një vizitë e vetme në një muze mund t’i prezantojë vizitorët me informata më të hollësishme mbi një temë të caktuar. Mjedisi i muzeve ju lejon të krijoni përvojat tuaja unike dhe të përzgjidhni informacionin që ju intereson.

3. Muzetë frymëzojnë
Muzetë frymëzojnë përmes eksperiencave që ata i dhurojnë vizitorëve. Këto eksperianca e kujtime të krijuara në muze nuk fshihen asnjëherë.

4. Muzetë janë vendet ideale për kalimin e kohës së lirë
Muzetë janë padyshim vendi ideal për të kaluar disa moment të bukura me miq e familjarë. Lidhjet personale mes individëve të shoqërisë mund të përforcohen përmes vizitave në muze dhe diskutimit mbi artin, kulturën dhe trashëgiminë. Prindërit apo miqtë tuaj mund të kthehen në udhërrëfyes turistikë dhe koha fluturon duke vizituar pavionet e muzeve që mbartin mijëra vite histori.

 

 

Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 Dhjetorin si ditë të personave me aftësi te kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie të personave me aftësi të kufizuar.

Muzeu Historik Kombëtar është i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pasi ai beson se qasja dhe përfshirja e tyre në shërbime, në jetën publike, kulturore e politike është një e drejtë themelore. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, organizuan veprimtarinë me titull “Muzeu i Prekshëm”. Ky muze ishte pranë nxënësve që nuk shikojnë, pranë institutit ku ata jetojnë. “Muzeu i Prekshëm” ishte i përbërë nga riprodhime objektesh prej balte, veshje etnografike, vegla muzikore, si dhe nga Figurat e Prekshme (me reliev) për personat me aftësi të kufizuar në shikim. Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën një dokumentar mbi prodhimin e poçerisë dhe qeleshes, dy nga tradita të trashëguara ndër breza midis shqiptarëve.

Objekti i veprimtarisë me titull “Muzeu i Prekshëm” është dërgimi i muzeut pranë vendit, ku fëmijët e verbër dhe me shikim të pjesshëm jetojnë, duke bërë të mundur që edhe këta fëmijë të bëhen pjesë e historisë së tyre, të bëhen pjesë e trashëgimisë së tyre si çdo njeri tjetër.

Nje pasdite ne muze

“Një pasdite në muze” me temë “Rëndësia e Kongresit të Manastirit (14 – 22 nëntor 1908)”

 

Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm Dr. Rovena Vata, kritike dhe studiuese e letërsisë/Pedagoge dhe znj. Brunilda Tusha, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri, Tiranë.

Në fjalën e saj, Dr. Rovena Vata, midis të tjerash tha se Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij ishin rrjedhojë e rritjes së vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, për shkrimin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe, për një albafet të vetëm të saj. Kjo ngjarje ishte një faqe e ndritur për historinë e kulturës sonë kombëtare, që i tregonte opinionit vendas dhe atij të huaj se shqiptarët ishin në gjendje t’i zgjidhnin vetë çështjet e kulturës. Rëndësia e këtij kongresi mbi të gjitha ishte se shërbeu si nxitje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në shumë krahina të vendit tonë dhe luajti një rol me rëndësi për t’i prerë rrugën çdo ndikimi të huaj në këtë fushë. Këtij kongresi i shtohet rëndësia e tij edhe për faktin se hapi rrugën e një alfabeti të vetëm, i cili përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme. U zgjodh ky alfabet që kemi, pasi ishte më i lehtë në përdorim, më i thjeshtë në të shkruar dhe më praktik në botime.

 

 

 

Krjimi i Muzeut Kombetar

Më 28 Tetor 1981 u inagurua Muzeu Historik Kombëtar.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

 

Se shpejti dy botime te reja…

Muzeu Historik Kombëtar shumë shpejt vjen me dy botime të reja.
 Revista “Studime Muzeologjike nr. 8” vjen me numrin special të saj me artikuj kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

 Katalogu “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” me përshkrimin e disa prej objekteve më përfaqëuese të Trashëgimisë Kulturore shqiptare të periudhave të ndryshme të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombetar.

.

Trashegimia Kulturore eshte pjese e rendesishme  e identitetit te nje kombi,ajo qe na ben krenar per tiparet origjinale dhe autentike  qe mbartin qe nga lashtesia e deri ne ditet e sotme . Vlerat e Trashegimise Kulturore nisur nga rendesia e tyre mund ti cilesojme  muzeore  dhe te vecanta. Te njihesh me nje pasuri te pacmuar qe  shenjon nga epoka ne eoke gjurmet e identitetit shqiptar do te thot  te hedhesh hapat ne retrospektive teksa perjeton nje eksperience qe te shton krenarine .

Nje vizite ne Muzeun Historik Kombetar te kthen njeheresh ne kujtesen historike ,duke na njohur  nga afer  me momentet kyce te periudhave qe kane lene gjurme  ne formimin e identitetit tone kombetar.

Per nga rendesia dhe vlerat e pacmueshme qe mbart brenda, natyrshem te vjen ta paralelizosh kete muze me nje kollos krenar ne qender te kyeqytetit , i cili i ofron vizitoreve te lundrojne neper epokat  historike, Mesjeta,Rrilindja Kombetare, Pavjoni i pavaresise se Shqiperise, Ikonografia , kultura e Shqiperise ,rezistenca shqiptare e LDB dhe regjimit komunist.

 

Ne muze ka gjithashtu nje kend  dedikuar Nene Terezes , nderkohe fale nje qasjeje bashkekohore , muzeu ka ndyshuar disa elemente  qe i japin me shume vlere artistike objekteve  te ekspozuara fale nje ndricimi  te dedikuar ne menyre qe vemendja  dhe optika e thjeshte e cdo vizitori  te shijoje detajet dhe elementet artistike te cdo objekti.

Madheshtia  e institucionit me te madh te muzeut Shqiptar njeh nje gjeografi te gjere vizitoresh dhe turistesh  nga gjithe bota  perfshire ktu personalitete te famshem nderkombetar nga cdo fushe .

Botimet nga Muzeu Historik Kombetar

Muzeu Historik Kombëtar gjatë vitit 2017 ka botuar tre libra nën logon e tij.

“Studime Muzeologjike 7”, qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, konservimit dhe restaurimit.

Prezantimi i numrit 7 të revistës “Studime Muzeologjike” u përcoll me një debat pozitiv dhe shumë frytdhënës, lidhur me ecurinë e saj në të ardhmen.

Revista përmban 12 shkrime me tema të ndryshme: Dr. Dorian Koçi, ka botuar artikullin me temë: “Dy kisha Romaiko-Gotike në Shqipërinë e Epërme”. Më pas vjen punimi i Andrea Llukanit me titull: “Ikonat e Diço Zografit në Muzeun Historik Kombëtar”; punimi i Ledio Xhorxhit me titull: “Si mundet muzeu im të ndihmojë vizitorët me probleme në shikim”. Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre edhe Prof. Dr. Luan Përzhita, Prof. As. Dr. Shaban Dervishi, Prof. As. Dr. Frederik Stamati, Prof. Asoc. Dr. Ermal H. Baze, Tatjana Alimemaj, Etleva Demollari, Alban Meta e Sokol Çunga.

“Armë të mjeshtërve shqiptarë në Muzeun Historik Kombëtar” është katalogu i ekspozitës me të njëjën titull. Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Katalogu përmban 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë.

Armët ilustrohen edhe me fotografi, me anën e të cilave pasqyrohet puna artistike e armëtarëve shqiptarë. Zbukurimet e armëve janë bërë me teknikën e filigranit. Kjo vërteton se shqiptarët ishin mjeshtër në punimin dhe zbukurimin e armëve. Armët e tyre ishin të punuara me argjend, por edhe të lara me ar. Në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar pushkë, kobure, vezme, harbi dhe jataganë.
Botimi “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”, me kumtesat e konferencës shkencore “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”. Kjo konferencë është organizuar në kuadër të edicionit të gjashtë të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë” organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Muzeu Historik Kombëtar.

 

Historia

Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.

Godina e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve.

-Pavijoni i Lashtësisë

-Pavijoni i Mesjetës

-Pavijoni i Rilindjes Kombëtare

-Pavijoni i Pavarësisë

-Pavijoni i Ikonave

-Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare

-Pavijoni i Terrorit Komunist

-Pavijoni i Nënë Terezës

Misioni:

Trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale e Shqipërisë promovohet nëpër stendat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili siguron hapësira të përshtatshme për ekspozimin ekoleksioneve. Detyra parësore e muzeut është zhvillimi i rolit edukativ për të tërhequr audiencë të gjerë nga komuniteti vendas si dhe nga turistët e huaj. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai Pavioni-i-lashtesise-pozicionime-Model_1-500x707përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin.