Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 Dhjetorin si ditë të personave me aftësi te kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie të personave me aftësi të kufizuar.

Muzeu Historik Kombëtar është i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pasi ai beson se qasja dhe përfshirja e tyre në shërbime, në jetën publike, kulturore e politike është një e drejtë themelore. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, organizuan veprimtarinë me titull “Muzeu i Prekshëm”. Ky muze ishte pranë nxënësve që nuk shikojnë, pranë institutit ku ata jetojnë. “Muzeu i Prekshëm” ishte i përbërë nga riprodhime objektesh prej balte, veshje etnografike, vegla muzikore, si dhe nga Figurat e Prekshme (me reliev) për personat me aftësi të kufizuar në shikim. Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën një dokumentar mbi prodhimin e poçerisë dhe qeleshes, dy nga tradita të trashëguara ndër breza midis shqiptarëve.

Objekti i veprimtarisë me titull “Muzeu i Prekshëm” është dërgimi i muzeut pranë vendit, ku fëmijët e verbër dhe me shikim të pjesshëm jetojnë, duke bërë të mundur që edhe këta fëmijë të bëhen pjesë e historisë së tyre, të bëhen pjesë e trashëgimisë së tyre si çdo njeri tjetër.

Nje pasdite ne muze

“Një pasdite në muze” me temë “Rëndësia e Kongresit të Manastirit (14 – 22 nëntor 1908)”

 

Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm Dr. Rovena Vata, kritike dhe studiuese e letërsisë/Pedagoge dhe znj. Brunilda Tusha, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri, Tiranë.

Në fjalën e saj, Dr. Rovena Vata, midis të tjerash tha se Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij ishin rrjedhojë e rritjes së vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, për shkrimin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe, për një albafet të vetëm të saj. Kjo ngjarje ishte një faqe e ndritur për historinë e kulturës sonë kombëtare, që i tregonte opinionit vendas dhe atij të huaj se shqiptarët ishin në gjendje t’i zgjidhnin vetë çështjet e kulturës. Rëndësia e këtij kongresi mbi të gjitha ishte se shërbeu si nxitje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në shumë krahina të vendit tonë dhe luajti një rol me rëndësi për t’i prerë rrugën çdo ndikimi të huaj në këtë fushë. Këtij kongresi i shtohet rëndësia e tij edhe për faktin se hapi rrugën e një alfabeti të vetëm, i cili përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme. U zgjodh ky alfabet që kemi, pasi ishte më i lehtë në përdorim, më i thjeshtë në të shkruar dhe më praktik në botime.

 

 

 

Krjimi i Muzeut Kombetar

Më 28 Tetor 1981 u inagurua Muzeu Historik Kombëtar.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.